
Mbi 40 mace të vjedhura janë ribashkuar me pronarët e tyre pasi policia vietnameze goditi një rrjet të trafikut të kafshëve shtëpiake dhe shpëtoi rreth 400 mace që dyshohet se do të përfundonin për konsum ushqimor.
Operacioni u zhvillua në qytetin Ho Chi Minh, ku autoritetet zbuluan një ambient ku mbaheshin qindra mace të rrëmbyera. Pas ndërhyrjes së policisë, kafshët u sekuestruan dhe nisën procedurat për identifikimin e pronarëve të tyre.
Sipas organizatës për mbrojtjen e kafshëve “Humane World for Animals Vietnam”, më shumë se 40 mace janë kthyer tashmë pranë familjeve të tyre, ndërsa pjesa tjetër po trajtohet dhe po mbahet nën kujdes deri në gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme.
View this post on Instagram
Pamjet e publikuara nga organizata tregojnë dhjetëra mace të gjetura në ambientet e sekuestruara nga policia, duke nxjerrë në pah përmasat e aktivitetit të paligjshëm.
Çështja e tregtisë së mishit të maceve dhe qenve mbetet një temë e debatueshme në disa zona të Azisë, ndërsa grupet për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë forcimin e ligjeve dhe kontrolleve për të ndalur trafikimin dhe keqtrajtimin e tyre.
Operacioni në Vietnam konsiderohet një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit kundër rrjeteve që trafikojnë kafshë shtëpiake për konsum.






