
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas miratimit të raportit të progresit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e zonave të mbrojtura dhe investimeve strategjike.
Përmes një reagimi publik, Tabaku e cilësoi Ramën si “dezinformuesin më të madh të opinionit publik në Shqipëri”, duke e akuzuar se po paraqet në mënyrë të shtrembëruar qëndrimin e Parlamentit Europian.
Sipas saj, ndryshimet e bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura krijuan mundësi që prona dhe troje me vlerë të lartë të kalonin në duart e interesave të ngushta private.
“Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se amendamentet e miratuara në Parlamentin Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor që ishte në fuqi përpara ndryshimeve të vitit 2024 për zonat e mbrojtura, si dhe heqjen e ligjit të investimeve strategjike.
Sipas saj, ligji i investimeve strategjike është shndërruar në simbol të privilegjeve dhe trajtimit preferencial për interesa të veçanta.
“Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti”, u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se integrimi europian kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit, duke argumentuar se ata që kanë ndërtuar “shtetin e kapur” nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane.






