Detaje të reja kanë dalë nga hetimet e SPAK që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe një vilë luksoze në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, pas ekspertimit të një telefoni të sekuestruar nga Byroja Kombëtare e Hetimit.

Sipas dokumenteve hetimore të publikuara nga gazetari Elton Qyno, në telefonin e Viola Haxhiademit, ish-zyrtare e lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, janë gjetur komunikime elektronike që përmendin një vilë të lidhur me Ballukun në kompleksin rezidencial në Dhërmi.

Në një e-mail të datës 13 shkurt 2018, Haxhiademi i shkruante motrës së saj për ecurinë e punimeve në vilat e kompleksit: “Bela ka F-5, ndërsa ne kemi F-6. Më pëlqen shumë”, thuhet në një pjesë të komunikimit të administruar nga SPAK.

Sipas hetuesve, këto komunikime janë një nga elementët që kanë ngritur dyshime mbi pronësinë dhe përdorimin e vilës F-6 në kompleksin “White Rocks”.

Prokuroria e Posaçme po heton gjithashtu procedurat e tenderimit të kryera në “Albcontrol” gjatë kohës kur institucioni drejtohej nga Belinda Balluku. Sipas dosjes hetimore, ekzistojnë dyshime se kompania fituese e disa procedurave publike ka përfituar favore dhe avantazhe të paligjshme.

Hetimi përqendrohet te dyshimet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, ndërsa SPAK pretendon se vila në Dhërmi mund të jetë pjesë e përfitimeve të parregullta që lidhen me këto procedura.

Belinda Balluku nuk ka reaguar ende publikisht mbi pretendimet e bëra publike nga dosja hetimore.

Hetimet vijojnë dhe deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, çdo person i përfshirë në procedim gëzon prezumimin e pafajësisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu