
Pas dy ditësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i 37-vjeçarit A.Z., i cili dyshohet se u mbyt në Liqenin e Ulzës pasi humbi kontrollin e mjetit lundrues që drejtonte.
Policia e Matit njoftoi se rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme, polumbarët e RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, Forcat e Armatosura, Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, forca vullnetare dhe familjarë, arritën të lokalizonin dhe nxirrnin nga liqeni trupin e 37-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi më 15 qershor, kur A.Z., banues në Laç, dyshohet se ra në ujë pasi humbi kontrollin mbi mjetin lundrues. Sipas të dhënave paraprake, ai tentoi të rikapej pas mjetit, por nuk arriti të dilte në sipërfaqe.
Trupi i pajetë do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore dhe përcaktimin e plotë të shkaqeve të vdekjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.






