
Protesta e 18-të kundër projekteve të zhvillimit në Zvërnec dhe kundër qeverisë u mbyll mbrëmjen e së mërkurës me një marshim në rrugët kryesore të Tiranës dhe rikthimin e protestuesve në sheshin “Skënderbej”.
Tubimi nisi para Kryeministrisë, ku aktivistë, studentë, pensionistë dhe qytetarë mbajtën fjalime, ndërsa më pas protestuesit marshuan në disa akse të kryeqytetit. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Poshtë patronazhistët”, por edhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Një nga momentet simbolike të protestës ishte parada me flamingo prej kartoni, që janë kthyer në simbol të lëvizjes, si dhe prania e një tufe dhish të sjella nga Kelmendi, të shoqëruara me pankarta për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër asaj që protestuesit e quajnë “ekocid”.
Organizatorët i kushtuan një pjesë të tubimit pensionistëve. Aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se shumë të moshuar nuk jetojnë me dinjitet vetëm me pensionet e tyre, ndërsa protestues të tjerë kërkuan përmirësim të kushteve sociale dhe ekonomike.
Gjatë mbrëmjes pati edhe mesazhe politike. Aktivisti Arben Kola kritikoi si qeverinë ashtu edhe opozitën tradicionale, ndërsa në pankarta u shfaqën mesazhe që kërkonin hetime për figura të politikës shqiptare.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës. Në fund të tij, ata u ulën për disa minuta në rrugën pranë Bankës së Shqipërisë, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin, përpara se të mbyllnin tubimin në qendër të qytetit.
Në përfundim të protestës, organizatorët bënë thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar, duke përsëritur sloganin: “Nesër më shumë”.






