Portugalia e nisi me hap fals rrugëtimin në Botërorin 2026, duke u ndalur në barazim 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë të Grupit K.

Luzitanët kaluan në avantazh që në minutën e 6-të me João Neves, por afrikanët reaguan në fundin e pjesës së parë, kur Yoane Wissa shënoi golin historik të parë të Kongos DR në një Kupë Bote, duke vendosur ekuilibrin në minutën e pestë shtesë.

Në qendër të vëmendjes ishte edhe Cristiano Ronaldo, i cili në moshën 41-vjeçare u bë një nga lojtarët e paktë që luan në gjashtë Botërorë. Megjithatë, kapiteni portugez nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, duke humbur dy mundësi të mira në pjesën e dytë.

Pavarësisht se mbajti 75% të posedimit të topit, Portugalia krijoi pak raste të pastra dhe e mbylli takimin vetëm me një goditje në kuadrat, atë të golit të Neves.

Për Kongon DR, që rikthehet në Botëror pas 52 vitesh, barazimi konsiderohet një rezultat historik. Ekipi afrikan tregoi organizim në mbrojtje dhe rrezikshmëri në kundërsulm, duke merituar pikën e parë në historinë e tij në Kupën e Botës.

Në ndeshjen e ardhshme Portugalia do të përballet me Uzbekistanin, ndërsa Kongo DR do të sfidojë Kolumbinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu