
Një valë dorëheqjesh dhe kërkesash për largim ka përfshirë administratën shtetërore pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama. Drejtues të institucioneve të rëndësishme, nga Tatimet dhe Doganat te ARRSH, Albpetrol, KESH dhe Drejtoria e Burgjeve, janë përfshirë në procesin e ndryshimeve, i cili pritet të përfundojë deri të hënën, më 26 tetor.
Sipas Panorama, dorëheqjet nisën me administratorin e Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, dhe vijuan me drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, kreun e Doganave, Besmir Beja, administratorin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, si dhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Etugert Llazi.
Ndryshimet kanë prekur edhe Ministrinë e Drejtësisë. Mes drejtuesve të cilëve u është kërkuar dorëheqja është Sadleva Bodo, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, e emëruar vetëm nëntë ditë më parë, më 14 tetor. Në listë janë gjithashtu Besmir Kola i Shërbimit të Provës, Ergys Qirici i Përmbarimit, Valdrin Pjetri i Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe Eduard Merkaj i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, kërkesa për largim u është komunikuar Eltar Dedës në Albpetrol, Ami Kozelit në ARRSH, Elisian Bicit në OST, Viola Haxhiademit në KESH dhe Dritan Isakut në Albcontrol. Sipas raportimit, ministri Enea Karakaçi ua ka përcjellë vendimin drejtuesve gjatë një mbledhjeje të zhvilluar pasditen e së premtes.
Procesi përfshin edhe Blerina Gjylametin në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Risena Xhajën në Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Silda Anagnosti Çepen në IdentiTek, Ervin Koçin në Agjencinë e Inteligjencës Financiare, Laura Plaku Saron në AIDA, Ardita Kuçin në AZHBR dhe Marjeta Përlalën në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Sipas të njëjtit burim, udhëzimi i kryeministrit u është përcjellë drejtuesve përmes ministrave përkatës. Për disa prej tyre dorëheqja raportohet se është dorëzuar, ndërsa për të tjerët është komunikuar kërkesa për largim.
Procesi pritet të mbyllet deri më 26 tetor, ndërsa mbetet ende e paqartë se kush do të emërohet në drejtimin e institucioneve të prekura nga këto ndryshime.






