
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Durrësi, në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe se ky proces, sipas tij, po udhëhiqet nga Partia Socialiste.
Në fjalën e mbajtur para socialistëve, Rama tha se konferenca ndërqeveritare që zhvillohet nesër në Bruksel do të vulosë përmbylljen e fazës hyrëse dhe hapjen e fazës përmbyllëse të negociatave me BE-në.
Sipas tij, objektivi i përbashkët me Komisionin Europian është mbyllja e negociatave brenda vitit 2027.
“O e bën Partia Socialiste Shqipërinë Europë, ose Europa nuk e merr kurrë Shqipërinë”, deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.
Kryeministri u ndal edhe te historia e PS-së, duke thënë se rrugëtimi i Shqipërisë është njëshuar me rrugëtimin e Partisë Socialiste dhe se transformimi i vendit mban vulën e socialistëve.
Ai e cilësoi PS-në si forcën që ka garantuar stabilitetin politik, reformat dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Rama sulmoi edhe opozitën, duke ironizuar protestat me molotovë dhe akuzat ndaj qeverisë për marrëdhëniet me Gjermaninë.
“Morën rrugët me molotov dhe u gëzoheshin fotografive të kazanëve që digjeshin. Nxorrën edhe flamujt e Gjermanisë në bulevard për të thënë se Gjermania na ka ndëshkuar”, tha ai.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë foli edhe për treguesit ekonomikë, duke deklaruar se prodhimi kombëtar ka kaluar nga më pak se 10 miliardë euro në mbi 27 miliardë euro, ndërsa paga mesatare në vend ka arritur në 912 euro.
Ai përmendi gjithashtu rritjen e investimeve të huaja direkte dhe projektet për transformimin e plazhit të Durrësit, përfshirë zgjerimin e vijës së rërës dhe rigjenerimin e zonës bregdetare.
Aktiviteti në Durrës shënoi nisjen e një serie takimesh që Partia Socialiste do të zhvillojë në kuadër të 35-vjetorit të krijimit të saj.






