Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në fazën përmbyllëse të negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa e cilësoi çështjen e pronave si një nga plagët më të mëdha dhe më komplekse të tranzicionit shqiptar.

Në konferencën rajonale “Nga Prona te Progresi”, organizuar në Tiranë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Europës, Rama foli për problemet historike të pronësisë dhe abuzimet që, sipas tij, kanë shoqëruar vendin për dekada.

“Kemi parë edhe det të përvetësuar. Nuk besoj se në përvojën tuaj keni parë parcela në mes të detit në hartat e Kadastrës”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se pas rënies së komunizmit, Shqipëria kaloi nga një sistem me pronë totalisht shtetërore në një situatë ku shteti humbi kontrollin mbi territorin, duke sjellë përplasje mes ish-pronarëve, ndërtimeve pa leje dhe falsifikimeve të dokumenteve.

Sipas tij, problemi u thellua edhe nga sistemi gjyqësor.

“Nuk besoj se ka vend tjetër ku dikush kërkon 5 hektarë dhe gjykata i jep 200 hektarë”, u shpreh Rama.

Ai tregoi edhe një rast absurd me hartat kadastrale, ku sipas tij një qytetar kishte humbur pronën për shkak të një grisjeje në hartë.

“Gjykata i tha: prona jote është te vrima e krijuar nga palosja e hartës, por nuk ta japim dot sepse është pikërisht aty”, tha kryeministri.

Rama deklaroi se teknologjia dhe transformimi digjital po ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të trashëguara të pronësisë, ndërsa paralajmëroi përdorimin e sistemit “blockchain” për administrimin e të dhënave.

Ai theksoi se procesi i digjitalizimit të Kadastrës është pothuajse drejt përfundimit dhe paralajmëroi reformë të re me bashkimin e disa agjencive nën një strukturë të vetme.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te integrimi europian, duke deklaruar se nuk ka alternativë tjetër për Shqipërinë përveç Bashkimit Europian.

“Mund të ankohesh gjithë ditën për BE-në, por me Bashkimin Europian një gjë është e sigurt: natën nuk ke makthe”, tha ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu