
Shqipëria zhvillon sot në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, një moment që konsiderohet vendimtar në procesin e integrimit europian të vendit.
Takimi hap zyrtarisht fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pas konfirmimit nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së (COREPER) për plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në grupkapitullin “Themelorët”.
Po ashtu, janë përcaktuar edhe kushtet për mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në konferencë në krye të delegacionit shqiptar, i përbërë nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Sipas agjendës zyrtare, Rama dhe delegacioni shqiptar do të mbërrijnë në Këshillin e Europës në orën 18:50, ndërsa pesë minuta më pas do të zhvillohet fotoja familjare me përfaqësuesit europianë.
Konferenca Ndërqeveritare pritet të nisë në orën 19:00, ndërsa në përfundim të saj, rreth orës 20:15, është parashikuar një konferencë për shtyp.
Qeveria shqiptare e konsideron këtë etapë si hyrjen në fazën përmbyllëse të negociatave me Bashkimin Europian, me objektivin për të përfunduar procesin brenda kësaj dekade.
Procesi i negociatave me BE-në shihet si një nga prioritetet kryesore të qeverisë, ndërsa fokusi mbetet te reformat në drejtësi, shteti ligjor, siguria dhe të drejtat themelore.






