Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka mbrojtur publikisht lidhjet e ngushta të Serbisë me Kinën gjatë vizitës së tij në Pekin, duke kritikuar Bashkimin Europian për presionin ndaj Beogradit në politikën e jashtme.

Me të mbërritur në Kinë, Vuçiq deklaroi se BE-ja po përpiqet “t’i diktojë” Serbisë me kë duhet të komunikojë diplomatikisht, veçanërisht në raport me Rusinë dhe Kremlinin.

“Do të ishte më mirë nëse ata thjesht do të më bënin një listë dëshirash se me kë më lejohet të flas dhe me kë jo. Atëherë për çfarë na duhet një president? Për çfarë na duhet një qeveri?”, deklaroi Vuçiq gjatë një konference për shtyp.

Presidenti serb theksoi se Serbia do të vazhdojë të ndjekë interesat e saj kombëtare, duke e cilësuar vendin “autonom, sovran dhe të pavarur”.

Vizita e Vuçiqit vjen në një moment kur Kina po forcon ndikimin diplomatik dhe ekonomik global. Kina mbetet investitorja më e madhe e huaj në Serbi, ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë mes dy vendeve, e firmosur në vitin 2024, ka rritur shqetësimet në Bruksel.

Bashkimi Europian druhet se afrimi i Beogradit me Pekinin mund të komplikojë procesin e integrimit europian të Serbisë, e cila ka statusin e vendit kandidat që prej vitit 2009.

Gjatë qëndrimit në Pekin, Vuçiq pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, i cili së fundmi ka pritur edhe presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin rus Vladimir Putin.

Takimet e Xi me Trumpin u fokusuan te tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, ndërsa gjatë vizitës së Putinit u nënshkrua një deklaratë për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak mes Pekinit dhe Moskës.

Xi e quajti Putinin “mik të dashur”, ndërsa të dy vendet premtuan forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit afatgjatë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu