Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen mbi pagat e gjyqtarëve, këtë herë duke publikuar në platformën X një deklaratë që, sipas tij, është bërë nga një gjykatës.

Në deklaratën e publikuar nga kreu i qeverisë thuhet:

“Ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë.”

Rama e ka shoqëruar deklaratën me një koment kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, konceptohet pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe buxheti i shtetit.

“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”, shkruan Rama.

Reagimi është episodi më i fundit i përplasjes mes qeverisë dhe përfaqësuesve të gjyqësorit për çështjen e pagave të magjistratëve dhe detyrimeve financiare që burojnë nga vendimet gjyqësore.

Rama ka kundërshtuar pretendimin se gjyqësori mund të vendosë vetë për përdorimin e fondeve të buxhetit, duke argumentuar se vetëm Kuvendi mund të autorizojë ndërhyrje të tilla në financat e shtetit.

Debati është përshkallëzuar ditët e fundit, ndërsa Kuvendi pritet të shqyrtojë më 17 shtator zgjidhjen ligjore për pagat e gjyqësorit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu