Qeveria e sapovotuar “Kurti 4” përballet menjëherë me një betejë në Gjykatën Kushtetuese. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Kushtetueses, duke e konsideruar qeverinë e re jokushtetuese dhe jolegjitime.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deklaroi se partia e tij do të kërkojë ndërhyrjen me prioritet të Gjykatës Kushtetuese.

“Qeveria që u votua sot është jokushtetuese dhe jolegjitime. Aleanca do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe presim adresim me prioritet nga kjo e fundit, meqë themelet e kushtetutshmërisë po lëkunden”, shkroi Gjini në Facebook.

Edhe PDK ka njoftuar se të hënën, në orën 09:00, do të dorëzojë në Kushtetuese kërkesën për interpretimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë “Kurti 4”.

Deputeti i PDK-së Arian Tahiri akuzoi Albin Kurtin se ka shpërfillur rendin kushtetues, afatet dhe vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, PDK do të kërkojë shqyrtimin e ligjshmërisë së çdo vendimi që del nga Kuvendi i konstituuar këtë të diel.

Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës u konstituua pas zgjedhjes së nënkryetarëve, ndërsa më pas, në një seancë të jashtëzakonshme, Qeveria “Kurti 4” mori 62 vota pro.

Albin Kurti ndërkohë i ka bërë thirrje PDK-së për bashkëpunim në Kuvend dhe i ka kërkuar të propozojë sa më shpejt kandidatin e saj për nënkryetar.

Përplasja zhvendoset tashmë në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të përballet me kërkesat e opozitës mbi ligjshmërinë e procesit që çoi në konstituimin e Kuvendit dhe votimin e qeverisë së re.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu