Bekim Fehmiu dhe Irene Papas, dy prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë ballkanike, u takuan artistikisht në rolet e Odiseut dhe Penelopës. Për aktorin shqiptar, puna me Papas ishte një përvojë e rrallë dhe frymëzuese.
“Një kënaqësi të veçantë më ofronte puna me njërën nga tragjedistet më të mëdha të gjysmës së dytë të shekullit XX, Irene Papas”, shkruante Fehmiu.
Ai e përshkruante aktoren me sy të mëdhenj e të zinj, qerpikë të dendur dhe me një portret që i kujtonte skulpturat helene. Loja e saj ishte e përmbajtur, me shumë pak lëvizje, por me një forcë të jashtëzakonshme të brendshme.
“Nga brenda vlon si një vullkan. Në skenat me të nuk më duhet ndonjë përqendrim i veçantë, sepse posa dal para saj, tanimë jam Odiseu. Irene është një aktore që thjesht të frymëzon”, rrëfente Fehmiu.
Në kujtimet e tij, aktori sjell edhe një episod të veçantë nga Roma, ku Irene Papas jetonte pasi ishte larguar nga Greqia gjatë regjimit të juntës ushtarake. E shqetësuar për fatin e mikut të saj, kompozitorit Mikis Theodorakis, ajo kishte dalë për darkë me Fehmiun dhe miqtë e tij.
Gjatë mbrëmjes, Bekim Fehmiu nisi të këndonte një këngë, ndërsa Irene Papas e vazhdoi në greqisht. Të dy u habitën se si e njihnin të njëjtën melodi.
“Kjo është një këngë dashurie shqiptare”, i tha Fehmiu.
“Jo, kjo është një këngë greke nga Janina”, iu përgjigj Papas.
Kur Fehmiu i kujtoi se në atë zonë jetonin arvanitasit, aktorja nxori pasaportën dhe i tregoi mbiemrin e saj të vërtetë: Irini Leleku.
“E flet shqipen?”, e pyeti ai.
“Jo, por jam me prejardhje shqiptare”, iu përgjigj Irene Papas.
Fehmiu e mbylli bisedën me një kompliment që bashkonte artin, historinë dhe origjinën: “Ti do të mund të ishe një mbretëreshë fantastike ilire, Teuta”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu