Një prej pamjeve më karakteristike të Tropojës ka ndryshuar rrënjësisht pas prerjes së plepave shumëvjeçarë përgjatë rrugës Bujan–Bajram Curri.

Aksi, i njohur prej vitesh për rreshtat e lartë të pemëve që krijonin një lloj tuneli natyror mbi rrugë, sot paraqitet pothuajse tërësisht i zhveshur. Fotot “para dhe pas”, të publikuara në rrjetet sociale, kanë shkaktuar reagime të shumta.

Faqja “Tropoja Sot” e cilëson ndërhyrjen si humbje të një prej karakteristikave vizuale më të veçanta të zonës, duke ngritur pikëpyetje nëse zhvillimi i infrastrukturës është balancuar me ruajtjen e trashëgimisë natyrore.

Edhe komentues të shumtë kundërshtojnë prerjen totale të pemëve. Disa prej tyre argumentojnë se plepat mund të krasiteshin dhe të zëvendësoheshin gradualisht me pemë të reja, në mënyrë që rruga të mos humbiste identitetin e saj.

Të tjerë, megjithatë, ngrenë çështjen e sigurisë, duke pretenduar se pemët e vjetra dhe të degraduara përbënin rrezik për automjetet dhe kalimtarët.

Pamjet tregojnë një ndryshim të dukshëm të peizazhit: rruga dikur e mbuluar nga kurorat e plepave është kthyer në një aks të hapur, ndërsa debati tashmë është nëse prerja ishte e domosdoshme apo nëse pemët mund të ruheshin përmes një ndërhyrjeje më të kontrolluar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu