
Dy persona janë ndaluar nga Policia e Tropojës pas ngjarjes së rëndë të një dite më parë në rrugën e Dobravës, ku një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë humbi jetën dhe tre të tjerë u dëmtuan nga rryma elektrike.
Policia njofton se janë ndaluar N. Gj., 36 vjeç, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe G. H., 60 vjeç, drejtues teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Ata dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ndodhi më 8 shtator, rreth orës 10:00, pranë fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës. Sipas hetimeve të deritanishme, katër punonjës të Bashkisë po mbanin një shtyllë ndriçimi për ta vendosur në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin.
Shtylla ka prekur telat elektrikë dhe ka përcjellë rrymën te katër punonjësit.
Si pasojë, M. S. humbi jetën, ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. u dëmtuan dhe u transportuan për ndihmë mjekësore. Sipas policisë, të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e plota të ngjarjes.






