
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar nismën për ngritjen e Bursës Bujqësore, një mekanizëm i ri që synon t’u japë fermerëve më shumë alternativa dhe fuqi negociuese në shitjen e prodhimit.
Sipas nismës, blerësit me shumicë do të deklarojnë produktet që kërkojnë, sasitë, cilësinë dhe çmimin që janë të gatshëm të paguajnë. Fermerët do të kenë mundësi t’i shohin dhe krahasojnë këto oferta përpara se të vendosin se kujt do t’ia shesin prodhimin.
“Kalojmë nga ‘sa është çmimi?’, te ‘kush po e blen dhe cila është oferta më e mirë?’. Çdo ditë, përmes Bursës Bujqësore, ky informacion do të jetë i aksesueshëm për fermerët, duke i lidhur ata drejtpërdrejt me kërkesën reale të tregut”, deklaroi Salla.
Synimi është që fermeri të mos jetë më i kufizuar në një ofertë të vetme, por të ketë mundësi të krahasojë disa blerës dhe çmime.
“Ne duam që fermeri të mos jetë vetëm përballë një oferte, por të ketë mundësi të zgjedhë mes ofertave, sepse kur ka më shumë alternativa, ka më shumë mundësi për një çmim më të mirë dhe më të drejtë për punën e fermerit”, theksoi ministri.
Sipas Sallës, Bursa Bujqësore synon gjithashtu të rrisë transparencën dhe konkurrencën në treg, duke iu përgjigjur një prej problemeve që fermerët ngrenë më shpesh: çmimit me të cilin arrijnë të shesin prodhimin e tyre.
“Bursa Bujqësore është një hap i ri drejt një tregu më të fortë dhe më të drejtë për fermerin shqiptar”, përfundoi Salla.






