
Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Sokol Sadushi, ka ngritur tonet për ngërçin e krijuar me pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, duke deklaruar se çështja ka kaluar përtej një mosmarrëveshjeje financiare dhe prek drejtpërdrejt raportet kushtetuese mes pushteteve.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të KLGJ-së, të thirrur këtë të enjte me gjyqtarët, Sadushi tha se për herë të parë pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës, duke krijuar sipas tij pengesë për funksionimin normal të gjykatave.
“Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri”, deklaroi Sadushi.
Sipas tij, problemi lidhet me faktin se formula e mëparshme e pagave është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa Kuvendi nuk ka miratuar brenda afatit një rregullim të ri.
Sadushi ngriti pyetjen se çfarë page duhet t’u njihet gjyqtarëve nga 1 gushti 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe këmbënguli se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pezullojë një garanci kushtetuese.
“Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës”, tha ai.
Kreu i KLGJ-së u ndal posaçërisht edhe te administrata gjyqësore, duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave për sekretarët, kancelarët dhe punonjësit e gjykatave.
“Ju nuk mund dhe nuk duhet të mbani mbi familjet tuaja koston e një situate që nuk e keni krijuar”, iu drejtua Sadushi punonjësve të sistemit.
Ai kundërshtoi gjithashtu interpretimin se situata përbën një përplasje mes gjyqësorit dhe qeverisë, duke theksuar se në thelb bëhet fjalë për zbatimin e një vendimi përfundimtar kushtetues.
“Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk negociohet. Ai zbatohet”, deklaroi Sadushi.
Sipas tij, zgjidhja duhet të përfshijë zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës, ekzekutimin e detyrimeve financiare të prapambetura dhe dialogun institucional mes pushteteve.
Ngërçi i pagave ka sjellë ditët e fundit edhe ndërprerje apo kufizime të punës në disa gjykata të vendit, ndërsa çështja tashmë është kthyer në një nga përplasjet më të forta institucionale në sistemin e drejtësisë.






