Situata e zjarreve në vend mbetet shqetësuese. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 të 29 gushtit janë raportuar 16 vatra, nga të cilat pesë vijojnë aktive dhe dy të tjera mbahen nën mbikëqyrje.

Vatra në Qafë-Priskë të Dajtit është riaktivizuar. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 25 zjarrfikës dhe punonjës të zonave të mbrojtura, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.

Situata mbetet e vështirë edhe në Vajkal të Bulqizës, ku zjarri është përhapur në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Në terren ndodhen 31 forca vendore e vullnetare, 30 efektivë të ushtrisë dhe një helikopter.

Në Sllatinë të Dibrës, vatra vijon aktive në një zonë pyjore. Në operacion janë angazhuar 78 forca dhe një helikopter, ndërsa deri tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Aktive mbeten gjithashtu vatra në Qafën e Helmës në Bulqizë, e cila po monitorohet pa zhvillime problematike, si dhe ajo në Kroin e Madh në Krujë. Në këtë të fundit po ndërhyhet me dy automjete zjarrfikëse dhe situata po shkon drejt normalizimit.

Vatrat në malin e Dardhës në Librazhd dhe në malin e Qukësit në Prrenjas janë nën mbikëqyrje, pa rrezik për banesat. Ndërkohë, zjarret në Komsi të Matit dhe në Delisuf të Vlorës janë shuar plotësisht.

Në total janë angazhuar 228 forca operacionale, 10 automjete zjarrfikëse, katër helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njofton se po e monitoron situatën pa ndërprerje, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera, me përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu