
Një fotografi e realizuar thuajse dy dekada më parë është kthyer në një nga historitë më të veçanta të finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.
Në dhjetor të vitit 2007, Lionel Messi ishte vetëm 20 vjeç dhe po hidhte hapat e parë drejt madhështisë me Barcelonën. Në kuadër të një kalendari bamirësie të organizuar nga fondacioni i klubit dhe gazeta Diario Sport, ai u fotografua duke larë në një govatë plastike një foshnjë vetëm pesë muajshe: Lamine Yamal.
Sot, 19 vite më vonë, ai foshnjë është shndërruar në yllin më të madh të futbollit spanjoll dhe do të përballet për herë të parë me idhullin e tij në finalen e Kupës së Botës.
Fotografi Joan Monfort, autori i imazhit tashmë historik, kujton se realizimi nuk ishte aspak i lehtë.
“Ishte një fotografi e vështirë. Messi ishte shumë i turpshëm dhe në fillim nuk dinte si të sillej me një foshnjë kaq të vogël. Dalëngadalë u krijua një atmosferë më e ngrohtë dhe në fund doli një foto shumë e bukur,” rrëfen ai.
Fotografia u botua në një kalendar bamirësie në vitin 2008 dhe për vite me radhë mbeti pothuajse e harruar. Ajo u bë virale vetëm gjatë Euro 2024, kur babai i Lamine Yamal e publikoi në rrjetet sociale.
“Askush nuk mund ta imagjinonte që ai foshnjë do të bëhej Lamine Yamal dhe se Messi do të shndërrohej në një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë. Fati i bashkoi në një fotografi që sot ka marrë një kuptim krejt tjetër,” thotë Monfort.
Pas asaj dite, Yamal iu bashkua akademisë “La Masia”, ndoqi gjurmët e Messit te Barcelona dhe sot mban fanellën me numrin 10, simbolin që për vite me radhë ishte identifikuar me legjendën argjentinase.
Të dielën, në stadiumin “MetLife”, historia do të mbyllë një rreth të jashtëzakonshëm. Messi dhe Yamal, që dikur u fotografuan së bashku pranë një govate plastike, do të jenë kundërshtarë në finalen e Kupës së Botës, në një duel mes legjendës dhe pasardhësit të tij.
Vetë fotografi e cilëson këtë si foton më të rëndësishme të karrierës së tij.
“Është si të fitosh lotarinë. Nëse Yamal vazhdon këtë rrugë, kjo fotografi do të mbetet një nga më historiket në futboll,” përfundon Monfort.






