Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e dyfishtë në Dukagjin, ku humbën jetën Prelë Gjoni, 82 vjeç, dhe djali i tij, Lekë Gjoni, 57 vjeç, ndërsa u plagos Lazër Bashi.

Babë e bir po udhëtonin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin drejt Shkodrës, kur u zunë në pritë pranë fshatit Xhan. Të paktën dy persona dyshohet se hapën zjarr drejt fuoristradës, duke e bërë atë shoshë nga plumbat.

Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur mbi 50 gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake, në atentat janë përdorur dy armë, një automatik kallashnikov dhe një MP5, çka përforcon dyshimet për pjesëmarrjen e të paktën dy autorëve.

Prelë dhe Lekë Gjoni humbën jetën nga breshëria e plumbave, ndërsa Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, arriti të mbijetonte. Ai u dërgua fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe më pas në Tiranë për mjekim të specializuar. Raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Familjarët u kanë deklaruar hetuesve se viktimat nuk njiheshin si persona problematikë dhe se nuk kishin dijeni për konflikte të mundshme. Një ditë përpara krimit, babë e bir kishin shkuar në banesën e vjetër, ku kujdeseshin për disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin drejt Grudës, ku banonin.

Një nga pistat që po verifikohet lidhet me divorcin e 57-vjeçarit rreth tre muaj më parë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që ta lidhin ndarjen me vrasjen e dyfishtë.

Lekë Gjoni punonte me kamion dhe ditët e fundit kishte transportuar materiale ndërtimi drejt një banese në fshatin Gjuraj. Ai kishte gjithashtu një ekskavator në bashkëpronësi me një banor tjetër të zonës. Hetuesit po verifikojnë edhe aktivitetin e tij për të zbuluar nëse mund të ketë pasur ndonjë konflikt të panjohur nga familjarët.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa Policia është njoftuar në orën 17:20 nga banorët. Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë, efektivët kanë mbërritur rreth orës 19:00, duke u lënë autorëve kohë të mjaftueshme për t’u larguar.

Dhjetëra forca policore dhe efektivë të RENEA-s kanë zhvilluar kontrolle në zonë. Identifikimi i autorëve vështirësohet nga terreni i thyer malor, mungesa e valëve telefonike dhe kamerave të sigurisë në rrugët e zonës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu