
Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në zonën e Malit të Robit në Golem, ku një 47-vjeçar dyshohet se po shkonte i armatosur drejt një hoteli për të vrarë personat që kishin dhunuar nipin e tij.
Sipas Policisë, konflikti nisi pasi një 18-vjeçar, i punësuar si kamerier në lokalin e hotelit, u dhunua nga disa persona për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me pagesën e punës së kryer.
I riu u dërgua në Spitalin e Kavajës, ku po merr kujdes mjekësor.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia siguroi informacion se xhaxhai i 18-vjeçarit, M. N., 47 vjeç, ishte nisur i armatosur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që dyshohet se kishin dhunuar nipin e tij.
Shërbimet policore ndërhynë dhe ndaluan automjetin e 47-vjeçarit pranë hotelit. Brenda një çante shpine u gjetën një armë automatike kallashnikov, tre karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se vendi ku kishte ndodhur dhunimi ishte pastruar. Pajisja DVR e kamerave të sigurisë ishte hequr, ndërsa kabllot ishin prerë, duke ngritur dyshime për përpjekje për të zhdukur provat.
Në përfundim të veprimeve të para, Policia arrestoi M. N., 47 vjeç, për armën dhe municionin e sekuestruar.
Për dhunimin e 18-vjeçarit u arrestuan F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç. Një 36-vjeçar u shpall në kërkim, ndërsa një person tjetër i së njëjtës moshë u procedua në gjendje të lirë.
Policia bëri të ditur se mes personave të përfshirë janë dy djemtë dhe dhëndri i pronarit të hotelit. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.






