Prokuroria Themelore në Gjakovë ka zbardhur detaje të reja për ngjarjen e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua shtatzënë e identifkuar nga mediat si Jetlira Foniqi humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, i dyshuar për vrasjen është bashkëshorti i viktimës, Egzon Bytyçi. Edhe ai ka marrë plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në gjendje kritike për jetën.

“Një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftim.

Viktima ishte shtatzënë në javën e 34-t. Pavarësisht masave reanimatore të ndërmarra nga ekipi mjekësor, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Bashkëshorti i saj është i intubuar dhe mbahet në respirator. Sipas mjekëve, gjendja e tij është shumë e rëndë dhe e paqëndrueshme.

Sa i përket të kaluarës së të dyshuarit, Insajderi raporton se Egzoni kishte punuar për rreth shtatë vjet në Gjermani dhe ishte kthyer në Kosovë vetëm një muaj para se të ndodhte kjo tragjedi. Po sipas të njëjtave burime, pretendhet se ai kishte pasur probleme shëndetësore, përfshirë edhe ato të shëndetit mendor.

Çifti ishte gjetur i plagosur brenda dhomës së gjumit, ndërsa në vendngjarje Policia sekuestroi një armë zjarri.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të tij, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.

Rasti po hetohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe sigurimin e provave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu