
Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për atentatin me armë zjarri në Sarandë, ku mbeti i vrarë Artan Murtaj, i njohur edhe me nofkën “Tani i Ruzhdiut”.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, një nga pistat kryesore që po verifikohet është ajo e një krimi të organizuar nga persona të paguar për ekzekutimin e Murtajt. Në vendin e ngjarjes, ekspertët e kriminalistikës kanë sekuestruar 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra, të cilat pritet të ndihmojnë në dokumentimin e dinamikës së atentatit.
Në kuadër të hetimeve, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e ngjarjes. Paralelisht, grupi hetimor po këqyr kamerat e sigurisë për të rindërtuar lëvizjet e autorëve para dhe pas ekzekutimit.
Pas ngjarjes, në akset kryesore dalëse të Sarandës janë ngritur postblloqe kontrolli, ndërsa vijojnë verifikimet për të identifikuar dhe kapur autorët.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse atentati ka lidhje me një konflikt të korrikut të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj. Deri tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar një motiv zyrtar për vrasjen.
Burimi: JavaNews






