
Eurojust ka reaguar pas operacionit të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, që çoi në goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafik droge, pastrim parash dhe aktivitete mafioze ndërkombëtare.
Operacioni i zhvilluar më 26 maj në Shqipëri dhe Itali përfundoi me arrestimin e 12 personave dhe lëshimin e urdhër-arresteve për tre të tjerë, ndërsa hetimet lidhen edhe me një vrasje të profilit të lartë të ndodhur vitin e kaluar në Itali.
Sipas Eurojust, grupi kriminal kishte lidhje të forta mes Shqipërisë dhe rajonit të Pulias në Itali, ndërsa dyshohet se drejtohej nga shtetasi shqiptar Igli Kamberi.
Agjencia europiane bëri të ditur se operacioni ishte rezultat i një hetimi të gjatë ndërkufitar të zhvilluar nga SPAK dhe Prokuroria Antimafia e Barit, me mbështetjen e Eurojust.
Në njoftim thuhet se hetimet nisën pas një vrasjeje brutale të ndodhur më 25 maj 2025 në rajonin e Barit, ku një konflikt në një lokal përfundoi me ekzekutimin e viktimës në një shpellë të izoluar në zonën e Murgias së Epërme.
Gjatë hetimeve për vrasjen, autoritetet zbuluan lidhje me trafikun e drogës dhe një rrjet të strukturuar të pastrimit të parave që transferonte të ardhura kriminale nga Italia drejt Shqipërisë.
Sipas Eurojust, grupi kishte arritur të pastronte afro 1 milion euro përmes një organizate kriminale me bazë në Tiranë.
Operacioni u zhvillua në kuadër të ekipit të përbashkët hetimor mes Italisë dhe Shqipërisë, i krijuar me mbështetjen e Eurojust që prej vitit 2023.
Agjencia europiane thekson se kjo është JIT-ja e pestë mes SPAK dhe Prokurorisë Antimafia të Barit në periudhën 2018-2026, bashkëpunim që ka sjellë mbi 170 arrestime dhe sekuestrimin e më shumë se 7 ton drogë, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë.
Eurojust bëri të ditur gjithashtu se ka financuar mbi 180 mijë euro për mbështetjen e hetimeve, përfshirë ekspertizat, përkthimet, transportin e provave dhe analizat mjeko-ligjore.






