
Shtetasi italian Marco Romeo ka pranuar për herë të parë se vrau ish-partneren e tij shqiptare, Sibora Gagani, në vitin 2014 në Spanjë, pas më shumë se një dekade mohimesh.
48-vjeçari, i dënuar tashmë me 24 vite burg për vrasjen e një tjetër gruaje në Torremolinos në vitin 2023, kishte pretenduar më herët se vetëm kishte fshehur trupin e Siborës në murin e apartamentit ku jetonin bashkë.
Por në dokumentet e fundit të paraqitura nga mbrojtja, ai pranon se e vrau 22-vjeçaren shqiptare brenda banesës dhe më pas ndërtoi një mur të dyfishtë për të fshehur trupin.
Trupi i Sibora Gaganit u zbulua nga policia vetëm pas arrestimit të Marco Romeos për vrasjen e partneres tjetër, Paula-s.
Sipas hetimeve, viktima ishte futur në një kuti druri dhe ishte mbuluar me gëlqere. Pranë trupit u gjetën edhe një thikë me njolla gjaku dhe një tufë lulesh.
Prokuroria spanjolle thotë se Marco Romeo dhe Sibora Gagani ishin njohur në vitin 2009 në qytetin italian Nettuno, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Një vit më pas ata u transferuan në Spanjë dhe nisën bashkëjetesën në Torremolinos.
Sipas dosjes hetimore, gjatë javës nga 7 deri më 14 korrik 2014, italiani e goditi të renë shqiptare me thikë të paktën katër herë, tre prej goditjeve në shpinë, duke i shkaktuar vdekjen.
Prokuroria kërkon 22 vite burg për akuzën e vrasjes me paramendim në kuadër të dhunës gjinore dhe për fshehjen e kufomës.
Mbrojtja kundërshton akuzën për paramendim, duke pretenduar se krimi nuk ishte planifikuar. Megjithatë, prokurorët këmbëngulin se ai ka vepruar në mënyrë të ftohtë dhe të organizuar, njësoj si në vrasjen tjetër për të cilën është dënuar tashmë.






