Lekë dhe Prel Gjoni, babë e bir, janë viktimat e vrasjes së dyfishtë pasditen e kësaj të diele, 23 gusht, në Dukagjin. I plagosur ka mbetur Lazer Bashi.

Dy persona, babë e bir, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur në një ngjarje të rëndë kriminale të regjistruar pasditen e kësaj të diele në Dukagjin.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult.

Viktimat janë shtetasit me iniciale L. Gj. dhe P. Gj., babë e bir. Ata dyshohet se janë qëlluar për vdekje me armë zjarri në rrethana që mbeten ende të paqarta.

Personi i plagosur është shtetasi me iniciale L. B., i cili ka mbërritur në Spitalin Rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia korrigjoi informacionin e parë, ku i plagosuri ishte identifikuar gabimisht me inicialet A. P. Deri tani nuk është bërë e ditur zyrtarisht gjendja shëndetësore e L. B.

Forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt fshatit Mgull.

Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të krimit dhe identifikimin e kapjen e autorit ose autorëve.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor nuk kanë mbërritur ende në vendngjarje për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë malor. Autoritetet pritet të japin informacione të tjera pas kryerjes së veprimeve të para hetimore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu