Dinamo ka fituar për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur Egnatian me rezultatin dramatik 3-2 në stadiumin “Air Albania”.

Finalja prodhoi gjithçka: gola, kartonë të kuq, tensione dhe drama deri në sekondat e fundit.

Ndeshja nisi me ankth pas dëmtimit të rëndë të portierit Teqja, i cili u largua me ambulancë nga fusha pas një përplasjeje me Bakajokon. Pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri Jorgji ndëshkoi futbollistin e Egnatias me karton të kuq.

Me epërsinë numerike, Dinamo dominoi lojën dhe kaloi në avantazh në minutën e 23-të me Malomon, ndërsa vetëm pak minuta më vonë Bregu realizoi një supergol nga distanca për 2-0.

Kur gjithçka dukej e mbyllur, Malomo mori kartonin e dytë të verdhë në pjesën e dytë dhe la Dinamon me 10 lojtarë.

Egnatia reagoi dhe ngushtoi diferencën me Buriç në minutën e 81-të, duke rikthyer tensionin në finale.

Por vetëm tre minuta më vonë, Mustafa shënoi golin e tretë për Dinamon pas një kundërsulmi të shpejtë, duke “vrarë” shpresat e rrogozhinasve.

Goli i Adjesas në shtesë vetëm sa dramatizoi fundin e ndeshjes, pasi Dinamo mbrojti avantazhin dhe ngriti trofeun e 15-të në histori.

Në fund nuk munguan tensionet mes pankinave, ku trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u ndëshkua me karton të kuq mes përplasjeve pranë stolit.

Nga ana tjetër, Nevil Dede nuk arriti të përsëriste suksesin e sezonit të kaluar me Egnatian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu