Turizmi po ndryshon edhe tregun e banesave në Tiranë. Rritja e apartamenteve që jepen me qira ditore përmes platformave si Airbnb dhe Booking po redukton ofertën për qira afatgjata, ndërsa çmimet në disa nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit kanë arritur deri në 1.500 euro në muaj.

Në këtë situatë, nga tregu imobiliar po hidhet ideja që Tirana të ndjekë shembullin e qyteteve europiane që kanë vendosur kufizime për apartamentet turistike, duke mos lejuar ose duke kufizuar qiratë ditore në zona të caktuara.

Në qendër të Tiranës, në zonën e Pazarit të Ri, Bulevardit të Ri, Rrugës së Elbasanit, stadiumit “Air Albania” dhe ish-Bllokut, qiratë mujore raportohen nga 700 deri në 1.500 euro.

Agjenti imobiliar Erjon Alimema thotë se tashmë ka kompani që menaxhojnë deri në 40 apartamente të publikuara në Airbnb apo Booking.

Sipas tij, pikërisht në zonat pranë qendrës ndikimi i turizmit në çmimet e qirave është më i dukshëm.

Problemi është se për të njëjtën banesë po konkurrojnë dy tregje: familjet që kërkojnë një shtëpi për të jetuar dhe operatorët që synojnë ta japin atë me qira për turistët.

Sipërmarrësi Gjin Gjoka paralajmëron se, nëse oferta e apartamenteve për qira afatgjatë vazhdon të tkurret, familjet do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë banesa me çmime të përballueshme.

Sipas të dhënave të AirDNA të cituara në raportim, numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara për qira ditore në Tiranë ka arritur në rreth 50 mijë.

Pikërisht kjo situatë ka sjellë diskutimin për vendosjen e një ekuilibri mes turizmit dhe nevojave të banorëve të kryeqytetit.

Ideja është që Tirana të shqyrtojë modele kufizuese për qiratë turistike në zona të caktuara, në mënyrë që një pjesë më e madhe e apartamenteve të mbetet në dispozicion të tregut tradicional të qirave.

Ndërkohë, tregu po jep dy sinjale të ndryshme. Sipas studimeve të Bankës së Shqipërisë të cituara në material, ritmi i çmimeve të shitblerjes së apartamenteve në kryeqytet po zbutet, ndërsa qiratë vazhdojnë të mbeten të larta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu