
Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Kinë për një samit me pasoja globale me liderin kinez Xi Jinping, në një moment tensionesh të forta gjeopolitike dhe lufte në Lindjen e Mesme.
Vizita e parë shtetërore e Trump në Pekin pas gati një dekade zhvillohet mes përplasjesh për Iranin, Tajvanin, inteligjencën artificiale, tregtinë dhe trafikun e fentanilit.
Një nga temat më të nxehta të takimit pritet të jetë lufta me Iranin dhe kriza energjetike globale.
Trump kërkon që Kina të ushtrojë presion mbi Teheranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të shtyrë përpara negociatat e paqes.
Nga ana tjetër, Kina ndodhet nën presion pasi një pjesë e madhe e importeve të saj të naftës kalojnë pikërisht përmes kësaj ngushtice strategjike.
Një tjetër çështje shpërthyese mbetet Tajvani.
Trump ka sinjalizuar se është i gatshëm të diskutojë shitjet e armëve për ishullin, ndërsa Pekini kërkon që SHBA të ndryshojë formulimin zyrtar për pavarësinë e Tajvanit.
Në tryezë është edhe beteja për inteligjencën artificiale.
SHBA dhe Kina po zhvillojnë një “luftë të ftohtë teknologjike”, me akuza për vjedhje teknologjie, kufizime për eksportet e çipave dhe garë për dominimin global në AI.
Trump dhe Xi pritet të diskutojnë edhe për tarifat tregtare dhe mineralet e rralla, pasi Kina ka kufizuar eksportet strategjike drejt SHBA-së.
Një tjetër pikë e fortë e axhendës së Trump është fentanili.
Uashingtoni akuzon kompanitë kineze se furnizojnë kartelet meksikane me substanca kimike për prodhimin e drogës vdekjeprurëse.
Takimi Trump-Xi konsiderohet si një nga samitet më të rëndësishme të viteve të fundit për balancën globale të fuqisë.






