
Crystal Palace është shpallur kampione e UEFA Conference League, pasi mposhti 1-0 Rayo Vallecanon në finalen e zhvilluar në Leipzig.
Skuadra angleze fitoi falë golit të Jean-Philippe Mateta në minutën e 51-të, duke siguruar trofeun e parë europian në historinë e klubit londinez.
Finalja nisi me ritëm të lartë, ndërsa Crystal Palace u shfaq më kërkuese në minutat e para. Megjithatë, Rayo Vallecano reagoi shpejt dhe krijoi rastet më të rrezikshme në pjesën e parë.
Në minutën e 25-të, Alemao iu afrua shumë golit pas një krosimi të De Frutos, por tentativa e tij fluturimthi përfundoi jashtë për pak centimetra.
Pak minuta më vonë, edhe Unai Lopez provoi portën angleze, por topi kaloi pranë shtyllës.
Crystal Palace u kundërpërgjigj në fundin e pjesës së parë me Mitchell, i cili pas asistit të Wharton nuk arriti të gjejë portën me kokë dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 0-0.
Në pjesën e dytë, ekipi i Oliver Glasner hyri më agresiv dhe arriti të zhbllokojë sfidën në minutën e 51-të.
Wharton provoi me një goditje të fortë, portieri Batalla e ndali fillimisht, por Mateta u tregua i saktë në kthimin e topit duke e dërguar në rrjetë.
Pas golit, Crystal Palace dominoi ndeshjen dhe iu afrua disa herë golit të dytë. Yeremi Pino goditi dy herë shtyllën në të njëjtin aksion, ndërsa më pas topi u përplas edhe në traversë pas një devijimi të Ratiut.
Rayo Vallecano tentoi të rikthehej në lojë në minutat e fundit, por nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara.
Me këtë sukses, Crystal Palace bëhet skuadra e tretë angleze që fiton UEFA Conference League, pas West Ham dhe Chelsea, ndërsa është gjithashtu trofeu i dytë europian për klubet angleze këtë sezon pas triumfit të Aston Villa në Europa League.






