
Bashkimi Europian ka njoftuar masa të reja të përkohshme për të mbrojtur industrinë europiane të çelikut elektrik nga importet me çmime të ulëta, kryesisht nga Azia dhe veçanërisht nga Kina.
Masat parashikojnë vendosjen e kuotave dhe çmimeve minimale për çelikun elektrik të orientuar me kokrriza, si edhe për produkte të tjera të lidhura me të, si laminatet dhe bërthamat e transformatorëve.
Sipas Reuters, brenda kuotave çmimet minimale do të vendosen në rreth 2,800 deri në 3,400 euro për ton, ndërsa për sasitë që tejkalojnë kuotat niveli do të shkojë në 3,500 euro për ton.
Për herë të parë, BE po vendos masa mbrojtëse jo vetëm për një produkt të vetëm, por për një zinxhir të tërë prodhimi, nga çeliku elektrik deri te komponentët e përdorur në transformatorë.
Komisioni Europian nisi hetimin për këto masa në muajin mars. Ato do të hyjnë në fuqi më 25 shtator 2026 dhe do të jenë të përkohshme, ndërsa vendosja e masave përfundimtare do të kërkojë miratimin e një shumice të cilësuar të vendeve anëtare të BE-së.
Industria europiane e çelikut është vënë prej kohësh nën presion nga konkurrenca me kosto më të ulët nga jashtë. Vetëm Kina përbënte më shumë se gjysmën e importeve të BE-së të çelikut elektrik dhe produkteve të lidhura me të gjatë vitit 2025.






