
Një intervistë e kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, të platformës Channel 5, është shndërruar në një përballje të tensionuar, pasi gazetari ngriti pyetje për korrupsionin në qeveri dhe përgjegjësinë politike të kreut të mazhorancës.
Në qendër të debatit ishin akuzat dhe dënimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lidhur me qeverinë, si dhe pyetja nëse këto raste përfaqësojnë përgjegjësi individuale apo tregojnë një problem më të gjerë brenda Partisë Socialiste.
Në pamjet e dokumentarit të gazetarit amerikan u shfaqën edhe çështjet penale të zyrtarëve të qeverisë Rama, përfshirë akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gazetari: A është korrupsioni i përhapur në partinë tuaj?
Andrew Callaghan e pyeti kryeministrin nëse rastet e zyrtarëve që përballen me drejtësinë për korrupsion mund të jenë tregues i një problemi sistemik brenda forcës politike që ai drejton.
Gazetari vuri në dukje se Rama, në reagimet e tij publike, shpesh i trajton këto raste si dështime personale të individëve, duke shmangur diskutimin për përgjegjësinë e partisë.
“Pika është se ata dënohen për korrupsion, pas së cilës ju shpesh i denonconi dhe e trajtoni këtë si çështje të përgjegjësisë individuale dhe dështimit moral personal, duke shmangur kritikën se korrupsioni mund të jetë i përhapur në vetë partinë tuaj”, u shpreh Callaghan.
Kryeministri kundërshtoi këtë mënyrë interpretimi, duke këmbëngulur se përgjegjësia penale dhe morale për veprimet e individëve mbetet personale.
“Gjithçka që ka të bëjë me individët është çështje e përgjegjësisë individuale”, deklaroi Rama.
“Nuk kam ardhur të ndaj ndjenjat e mia me ju, djalosh”
Tensioni u rrit kur gazetari amerikan e pyeti Ramën se si ndihej kur persona të administratës së tij ose njerëz pranë tij akuzoheshin apo dënoheshin për korrupsion.
Kryeministri nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes në aspektin personal.
“Nuk kam ardhur këtu të ndaj ndjenjat e mia me ju, djalosh. Kam ardhur t’u përgjigjem pyetjeve për fakte”, iu drejtua Rama gazetarit.
Callaghan argumentoi se qëndrimi i kryeministrit kishte rëndësi për publikun, për shkak të përgjegjësisë së tij për të ardhmen e vendit.
Por Rama e ndërpreu, duke vënë në dyshim qëllimin e intervistës.
“Po, jam kryeministër, sigurisht. Përndryshe, nuk do të ishim takuar kurrë. Por cila është pika juaj? Çfarë doni të thoni? Çfarë doni t’i thoni publikut tuaj?”, u shpreh ai.
Rama: Ke ardhur nga Amerika për të bërë thashetheme me mua?
Përballja arriti kulmin kur kryeministri iu drejtua gazetarit me një pyetje të drejtpërdrejtë për motivin e intervistës.
“Keni ardhur nga Amerika për të bërë çfarë? Për të bërë thashetheme me mua këtu?”, tha Rama.
Callaghan iu përgjigj se synonte t’i jepte kryeministrit mundësinë të sqaronte çështjet e ngritura.
“Jo, për t’ju dhënë mundësinë të sqaroni gjërat”, u shpreh gazetari.
Por Rama e refuzoi këtë argument.
“Jo, nuk kam nevojë për mundësitë tuaja”, iu përgjigj ai.
Kryeministri vijoi duke i kujtuar gazetarit se po i kushtonte kohë për intervistën dhe kërkoi që ajo të përdorej me respekt.
“Jam këtu vetëm për t’ju mirëpritur, me respekt, duke ju kushtuar kohën time të çmuar. Dhe ju duhet ta përdorni kohën time me respekt”, deklaroi Rama.
Përplasje edhe për investitorët strategjikë
Debati nuk u kufizua vetëm te korrupsioni në administratën publike.
Në një tjetër moment të intervistës, gazetari amerikan iu referua arrestimit të një investitori strategjik dhe mënyrës se si kryeministri i ishte përgjigjur pyetjes për këtë çështje.
Callaghan pretendoi se Rama kishte shmangur diskutimin duke i thënë se nuk e kuptonte termin “investitor strategjik”.
Kryeministri e kundërshtoi interpretimin e gazetarit, duke këmbëngulur se i kishte dhënë përgjigje.
Shkëmbimi i replikave u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, me ndërprerje të ndërsjella.
Përgjegjësi individuale apo politike?
Përballja mes Ramës dhe gazetarit amerikan rikthen në vëmendje një debat të vazhdueshëm në politikën shqiptare: deri ku shtrihet përgjegjësia e një kryeministri kur zyrtarë të administratës së tij përballen me akuza për korrupsion?
Rama mbrojti qëndrimin se çdo individ përgjigjet për veprimet e veta, ndërsa Callaghan kërkoi të dinte nëse përsëritja e rasteve të korrupsionit mund të tregojë një problem më të gjerë politik dhe institucional.
Intervista nuk solli një përgjigje të drejtpërdrejtë të kryeministrit për mënyrën se si ndihej për këto raste, por nxori në pah dallimin mes dy qasjeve: përgjegjësisë individuale që mbron Rama dhe përgjegjësisë politike që ngriti gazetari.






