
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot, më 3 nëntor, në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin e Euronews për Zgjerimin e Bashkimit Europian, një forum i nivelit të lartë që mbledh përfaqësues politikë dhe institucionalë për të diskutuar të ardhmen e zgjerimit të BE-së.
Vizita e kreut të qeverisë shqiptare zhvillohet në një moment kur Shqipëria po vijon procesin e negociatave të anëtarësimit, me fokus mbylljen e grupkapitujve të radhës.
Në kuadër të samitit, Rama do të zhvillojë një bisedë me gazetarët e Euronews, gjatë së cilës pritet të flasë për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit.
Paralelisht me pjesëmarrjen në forum, vijon puna në nivel teknik për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me mbylljen e grupkapitujve të negociatave.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri shqiptar ka parashikuar edhe dy takime të rëndësishme në nivel të lartë.
Ai do të takohet me Presidentin e Këshillit Europian, António Costa, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Takimet zhvillohen në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit në kryeqytetin belg, ndërsa në qendër të agjendës së bërë publike është perspektiva europiane e Shqipërisë dhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian.
Samiti i Euronews synon të sjellë në vëmendje sfidat dhe perspektivat e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, në një periudhë kur zgjerimi mbetet një nga çështjet kryesore të agjendës europiane.






