
Një 31-vjeçare është arrestuar në flagrancë nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se vodhi një automjet nga vendparkimi i një hoteli në lagjen nr. 1 të qytetit. E reja u kap vetëm 30 minuta pas vjedhjes, teksa po drejtonte automjetin në afërsi të tunelit të Skërficës.
Sipas njoftimit zyrtar, e arrestuara është shtetasja E. S., 31 vjeçe, banuese në Sarandë, e cila dyshohet se ka marrë automjetin në pronësi të shtetasit A. M.
Pas vjedhjes, ajo dyshohet se ka hequr targat e makinës dhe i ka hedhur në një kazan mbeturinash në dalje të qytetit.
Ngjarja u denoncua menjëherë nga pronari i automjetit, i cili njoftoi Policinë se makina e parkuar në ambientet e hotelit ishte zhdukur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë nisën kërkimet dhe, përmes veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, arritën të identifikonin dhe lokalizonin autoren e dyshuar.
Rreth gjysmë ore pas vjedhjes, 31-vjeçarja u ndalua nga efektivët pranë tunelit të Skërficës, ndërsa ishte në drejtimin e automjetit të marrë.
Policia sekuestroi makinën e vjedhur, si edhe targat që e dyshuara kishte hedhur në mbeturina.
Në përfundim të veprimeve procedurale, E. S. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për hetime të mëtejshme.






