
Momente tensioni janë regjistruar gjatë natës në Arabinë Saudite, ku autoritetet aktivizuan alarmet për rrezik të mundshëm në kryeqytetin Riad dhe në qytetin Al-Kharj, në lindje të tij.
Dy shpërthime janë dëgjuar në zonën Olaya të Riadit, ndërsa alarmi u dha në një kohë kur janë intensifikuar sulmet e Houthive të Jemenit ndaj territorit saudit.
Pak minuta më vonë, Mbrojtja Civile saudite dha sinjalin se rreziku kishte kaluar. Deri tani autoritetet nuk kanë njoftuar për viktima apo dëme dhe nuk është bërë e ditur zyrtarisht se çfarë i shkaktoi shpërthimet e dëgjuara në kryeqytet.
Alarmi në Riad pasoi paralajmërimet e lëshuara më herët në disa zona të tjera të Arabisë Saudite, përfshirë Jeddah, Taif, Khamis Mushait dhe Al Ula. Autoritetet u kërkuan banorëve të qëndronin vigjilentë dhe të ndiqnin udhëzimet e sigurisë.
Tensionet janë rritur pas një serie sulmesh me raketa dhe dronë të Houthive. Vetëm disa orë përpara alarmit, zëdhënësi ushtarak i grupit deklaroi se Houthit kishin penguar ato që i cilësuan si “përpjekje kriminale” saudite në kryeqytetin jemenas Sanaa dhe paralajmëroi se do të përgjigjeshin.
Houthit, të cilët kontrollojnë pjesën më të madhe të veriut të Jemenit, kanë shtuar sulmet kundër Arabisë Saudite që prej korrikut. Sulmet kanë përfshirë edhe objektiva dhe anije saudite në Detin e Kuq.






