
Kosova ka qeverinë e re. Kuvendi ka votuar kabinetin “Kurti 4”, duke i dhënë Albin Kurtit një mandat të ri në krye të ekzekutivit pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik dhe procedurave për konstituimin e institucioneve.
Nga 70 deputetë të pranishëm, qeveria mori 62 vota pro, 8 kundër dhe asnjë abstenim. Pas votimit, anëtarët e kabinetit të ri qeveritar dhanë edhe betimin.
Në qeverinë e re, Glauk Konjufca do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë. Fikrim Damka merr postin e zëvendëskryeministrit të tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim.
Në kabinet qëndrojnë disa prej emrave të njohur të qeverisjes së Kurtit: Hekuran Murati në Financë, Ejup Maqedonci në Mbrojtje, Xhelal Sveçla në Punët e Brendshme, Arben Vitia në Shëndetësi dhe Artane Rizvanolli në Ekonomi.
Ndryshime ka në disa dikastere. Hajrulla Çeku merr Arsimin dhe Shkencën, Saranda Bogujevci Kulturën dhe Turizmin, Dimal Basha Infrastrukturën dhe Transportin, ndërsa Mimoza Kusari do të drejtojë Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Votimi u zhvillua mes përplasjeve politike. PDK dhe Aleanca nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e qeverisë, duke e konsideruar atë jokushtetuese, ndërsa mungoi edhe LDK-ja. Deputetët e Listës Serbe ishin të pranishëm, por votuan kundër kabinetit Kurti.
Me votëbesimin e sotëm, përfundon procesi i gjatë për krijimin e institucioneve të reja dhe Albin Kurti merr një tjetër mandat si kryeministër i Kosovës.






