Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka veçuar Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar mbylljen e tre kapitujve të parë negociues si një “moment kyç të rëndësishëm”.

Vlerësimi është pjesë e raportit vjetor për Evropën e Bashkuar, ku në pjesën kushtuar zgjerimit nënvizohet se negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë një vrull të ri gjatë vitit të fundit.

“Edhe Shqipëria arriti një moment kyç të rëndësishëm kur mbylli tre kapitujt e parë negociues në muajin korrik”, thuhet në tekstin e raportit.

Presidentja e Komisionit Evropian e konsideron zgjerimin jo vetëm një nga projektet më të suksesshme të BE-së, por tashmë edhe një domosdoshmëri strategjike, për shkak të situatës së sigurisë në Evropë dhe botë. Sipas saj, procesi do të vazhdojë të bazohet te meritat dhe vendet që përmbushin angazhimet duhet të lejohen të ecin përpara.

Në raport përmendet gjithashtu integrimi gradual i vendeve kandidate në strukturat evropiane. Shqipëria është tashmë pjesë e SEPA-s, ndërsa Raporti për Sundimin e Ligjit i BE-së përfshin për të tretin vit radhazi edhe vlerësimin për Shqipërinë.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet më 30 shtator, kur Komisioni Evropian do të publikojë propozimet për thjeshtimin e procesit të integrimit. Mes tyre përfshihen integrimi gradual dhe heqja e kërkesës për unanimitet, e cila ndër vite ka krijuar pengesa për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu