
Komuniteti shqiptar në Adelaide të Australisë është bashkuar këtë të diel në një kremtim të madh për 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, duke ndërthurur ceremoninë fetare me traditat, muzikën dhe kulturën shqiptare.
Festimet në Mater Christi Church, në Seaton, nisën me procesionin, i cili u pasua në mesditë nga Mesha e Shenjtë. Ceremonia u celebrua nga Kryepeshkopi i Adelaide, Patrick O’Regan, së bashku me priftin shqiptar Dom Gabriel Grabanica.
Pas përfundimit të meshës, kremtimet kanë vijuar me një program të gjerë kulturor dhe familjar. Valle folklorike shqiptare, muzikë, gatime tradicionale dhe aktivitete për fëmijët kanë sjellë atmosferën shqiptare në Adelaide.
Në aktivitet ishte njoftuar pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve australiane dhe shqiptare, si dhe e përfaqësuesve të komuniteteve shqiptare nga Adelaide, Melbourne dhe Sydney. Mes të ftuarve është edhe ambasadori i Shqipërisë në Australi, Adrian Mara.
Kremtimet e kësaj të diele vijnë pas triditëshit të meshave të zhvilluara më 9, 10 dhe 11 shtator dhe shënojnë 10 vjet nga kanonizimi i Nënë Terezës, e shpallur shenjtore më 4 shtator 2016.






