
Një 48-vjeçar është shpëtuar pas një operacioni që zgjati më shumë se tetë orë, pasi ra aksidentalisht në një humnerë në fshatin Kapaj të Mallakastrës.
Sipas Policisë, shtetasi me inicialet F. S. po përpiqej të rregullonte tubin e ujit që përdorej për vaditje, kur humbi ekuilibrin dhe përfundoi në humnerë. Për shkak të terrenit, ai mbeti i bllokuar dhe nuk mundi të dilte vetë.
Familjarët njoftuan autoritetet, ndërsa shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses organizuan ndërhyrjen për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij. Pas disa orësh përpjekjesh të përbashkëta, ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin 48-vjeçarin nga humnera.
Ai kishte pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore. Nuk janë dhënë të dhëna të tjera për gjendjen e tij shëndetësore.






