
Shqipëria ka shënuar një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur për herë të parë tre kapituj negociues të procesit të anëtarësimit. Bëhet fjalë për kapitujt Shkenca dhe Kërkimi, Arsimi dhe Kultura si dhe Marrëdhëniet e Jashtme, të cilët u mbyllën në kuadër të konferencës ndërqeveritare nën presidencën irlandeze të BE-së.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, e cilësoi zhvillimin si “një hap tjetër më pranë Bashkimit Europian”, ndërsa procesi i zgjerimit vijon paralelisht edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi.
Ky është rasti i parë që Shqipëria përfundon kapituj negociues që nga nisja e procesit të anëtarësimit. Qeveria shqiptare synon mbylljen e negociatave teknike deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.






