Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar probleme serioze me kontrollin e pesticideve në Shqipëri. Sipas auditimit, gjatë periudhës kur Ministria e Bujqësisë drejtohej nga Anila Denaj, në tregun shqiptar kanë qarkulluar produkte për mbrojtjen e bimëve që ishin të ndaluara në Bashkimin Evropian.

Raporti evidenton se gjatë viteve 2022–2024 kanë qenë në qarkullim dhjetë produkte të tilla, ndërsa afatet për heqjen e tyre nga tregu janë zgjatur përtej afateve të përcaktuara nga BE-ja raporton TCH.

Gjetjet ngrenë pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë institucionale të Ministrisë së Bujqësisë dhe kontrollet e ushtruara për sigurinë e produkteve ushqimore. Anila Denaj mori drejtimin e këtij institucioni në shtator 2023, duke qenë ministre gjatë një pjese të periudhës së audituar.

Por problemi nuk kufizohet vetëm te pesticidet e ndaluara. KLSH ka konstatuar se legjislacioni shqiptar ka lejuar nivele të mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime shumë më të larta sesa kufijtë e Bashkimit Evropian.

Në disa raste, diferencat arrijnë deri në 100 herë.

Sipas të dhënave të auditimit, kufiri i lejuar për mbetjet e pesticidit Tebuconazole në luleshtrydhe ishte 75 herë më i lartë se në BE. Për Phosmet në mandarina, diferenca arrinte në 50 herë, ndërsa për Imidacloprid në ullinj, kufiri shqiptar ishte 100 herë më i lartë.

Po kështu, për Propiconazole rezultonin nivele të lejuara 30 herë më të larta, ndërsa për Oxamyl deri në 10 herë mbi standardet evropiane.

KLSH ka evidentuar se problematika prekte edhe produkte të tjera bujqësore, përfshirë shalqirin, kastravecat, patatet dhe lulelakrën.

Një tjetër element shqetësues është se udhëzimi që përcaktonte nivelet maksimale të mbetjeve të pesticideve datonte nga maji i vitit 2021 dhe mbeti në fuqi deri në vitin 2025. Kjo do të thotë se përgjegjësia për mospërafrimin e standardeve me BE-në shtrihet në disa periudha drejtimi të Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë edhe mandatin e Denajt.

Sipas auditimit, këto standarde kanë krijuar pengesa edhe për eksportet shqiptare, pasi produktet që tejkalojnë kufijtë evropianë nuk mund të tregtohen në tregun e BE-së.

Gjetjet e KLSH-së nuk provojnë se çdo produkt i shitur në Shqipëri përmbante mbetje pesticidesh në këto nivele, por tregojnë se kuadri rregullator shqiptar lejonte kufij ndjeshëm më të lartë se standardet evropiane.

Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë përafrimin e legjislacionit për mbrojtjen e bimëve dhe sigurinë ushqimore me atë të Bashkimit Evropian.

Raporti vendos në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e drejtuesve të Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë Anila Denajn, për masat e marra ose të munguara gjatë periudhës kur këto produkte vijonin të lejoheshin në treg.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu