Shqipëria pritet të shënojë sot një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, me mbylljen e përkohshme të kapitullit të katërt të negociatave.

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë këtë të martë, 13 tetor, në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, e cila zhvillohet në Luksemburg.

Gjatë konferencës pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Me këtë vendim, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria do të arrijë në katër, ndërsa qeveria synon përfundimin e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.

Kapitulli 20 përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e bizneseve, nxitjen e inovacionit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Sipas agjendës zyrtare, aktivitetet do të nisin në orën 16:45 me deklaratat për mediat, ndërsa në orën 16:50 është parashikuar fotografia e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, komisioneres europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrit irlandez Thomas Byrne.

Konferenca Ndërqeveritare do të hapet në orën 17:00 dhe pritet të përfundojë në orën 17:45.

Pas përfundimit të saj, Rama, Kos dhe Byrne do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të komentojnë ecurinë e negociatave dhe hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Mbyllja e Kapitullit 20 përbën një tjetër etapë në procesin e integrimit europian, ndërsa mbyllja përfundimtare e negociatave mbetet e lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe reformave të kërkuara nga BE-ja.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu