Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, është ndaluar për 48 orë në Prishtinë, nën dyshimin se ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të profesionit të tij.

Vendimi është marrë me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas raportimit të rastit në polici mbrëmjen e së hënës.

Sipas Prokurorisë, ndaj Gecit ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale të kanosjes. Autoritetet kanë marrë në pyetje si ish-deputetin, ashtu edhe gazetarin Mehmetaj, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Konflikti dyshohet se ka nisur pas një postimi të Lirim Mehmetajt në Facebook për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili është nipi i ish-deputetit Gani Geci.

Pas publikimit, Geci reagoi në rrjetet sociale, duke deklaruar se familja e tij kishte rënë dakord që as gazetari dhe as pjesëtarët e familjes Geci të mos merreshin më me njëri-tjetrin, qoftë përmes postimeve, qoftë në emisione televizive.

Nga ana tjetër, Mehmetaj deklaroi gjatë një interviste në RTV Dukagjini se e kishte denoncuar rastin në polici për kanosje dhe se nuk kishte ndërmend ta fshinte postimin e tij.

Familjarët e Gani Gecit kanë bërë të ditur në rrjetet sociale se ish-deputeti është paraqitur vullnetarisht në polici për të dhënë deklaratën e tij.

Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës të kryejë veprime të mëtejshme hetimore për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndalimi 48-orësh është një masë procedurale dhe nuk përbën shpallje fajësie. Hetimet për pretendimet e kanosjes vijojnë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu