
Mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së martës në Tiranë në protestën e tretë radhazi kundër projektit turistik në Zvërnec dhe ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Protestuesit u grumbulluan fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt bulevardit përpara Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin që po zhvillohet në zonën e Zvërnecit.
Tubimi vjen vetëm pak orë pasi kryeministri Edi Rama ftoi përfaqësues të protestuesve në një bashkëbisedim publik për të diskutuar shqetësimet lidhur me investimin. Por qytetarët iu përgjigjën me sloganin: “Pa dorëheqje, s’ka dialog”.
Gjatë marshimit u shfaqën pankarta dhe mesazhe kundër klasës politike, ku spikatën thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa protestuesit mbanin edhe pankarta të tjera me mesazhe kundër projektit në Zvërnec.
Protesta zhvillohet në kulmin e debatit publik për investimin miliarda eurosh të planifikuar në Zvërnec dhe Sazan, ndërsa aktivistët dhe organizatat mjedisore kërkojnë ndalimin e projektit dhe më shumë transparencë për zhvillimet në zonën e mbrojtur.






