
Drejtuesi Politik i Qarkut Tiranë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi Partinë Socialiste si forcën politike që ka dhënë kontributin kryesor në ndërtimin e shtetit shqiptar modern, gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e krijimit të PS-së në Tiranë.
Në fjalën e tij, Balla kujtoi mesazhin e Fatos Nanos në themelimin e partisë më 12 qershor 1991, duke theksuar se angazhimi për ta bërë Shqipërinë një shtet demokratik dhe europian është përmbushur përmes kontributit të socialistëve në qeverisje dhe opozitë.
Sipas Ballës, Partia Socialiste ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vite dhe ka shënuar 9 fitore në 10 zgjedhje me Edi Ramën në krye të saj.
“Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet”, deklaroi Balla, duke renditur si arritje forcimin e institucioneve, rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit, rritjen e investimeve të huaja dhe afrimin e vendit me Bashkimin Europian.
Ai tha se Shqipëria është sot më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi rolin e PS-së në proceset kyçe të shtetformimit, nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, mbështetja për çlirimin e Kosovës, integrimi në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian.
Balla ndaloi veçanërisht te reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi reformën më të rëndësishme në 104 vite shtet shqiptar.
Sipas tij, pas miratimit të saj në vitin 2016, në Shqipëri janë krijuar dy kampe të qarta politike: ata që mbështesin reformën në drejtësi dhe ata që e kundërshtojnë atë.
Në pjesën e fundit të fjalës, Balla vlerësoi investimet strategjike në vend, duke veçuar projektin e Power Holding në Zvërnec, për të cilin tha se do ta vendosë Shqipërinë në “Ligën e Kampionëve” të turizmit ndërkombëtar.
“Ne jemi të vetmit që do ta përmbyllim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne jemi të vetmit që do ta fusim Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”, u shpreh ai.
Fjala e plotë:
Faleminderit Ogerta, në parlament shumë herë flas pa letër, po sot i kam mbledhur disa mendime.
Dhe po e filloj me një fjali që tha Fatos Nano 35 vite më parë, në 12 qershor, por këtu në këtë sallë.
Faleminderit!
“Ne do ta bëjmë këtë vend. Askush nuk e bën tjetër!”- tha Fatos Nano më 12 qershor 1991 dhe ky angazhim u konfirmua si një kontribut konseguent i Partisë Socialiste, qoftë kur shqiptarët na besuan të qeverisim vendin, por edhe atëherë kur qëndruam në opozitë, me kontributin cilësor në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Partia Socialiste ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vjet, duke shënuar rekordin historik të padiskutueshëm: 9 fitore në 10 beteja me Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste.
Nëse dikush do më kërkonte të mblidhja në një fjali kontributin e partisë sonë në 35 vjet, atë do ta formuloja kështu:
Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet, me institucione funksionale, shërbime europiane, ekonomi që rritet, 3 herë më e madhe ekonomia në 2025-ën sesa në 2013-ën; shoqëri me drejtësi e barazi para ligjit; një vend atraksion turistik e shtet me miq e partnerë ndërkombëtarë, me të cilët bashkëpunon me dinjitet në çdo plan dhe di të respektojë të tjerët, por duke respektuar vetveten në radhë të parë.
Sot, falë Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe lidershipit historik të Edi Ramës, Shqipëria është më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kurrë nuk kemi qenë më afër sesa sot.
E ndërsa jemi në ditë ditëlindjeje, hedhim sytë pas. Kontributi i socialistëve ka spikatur në momente të vështira e delikate, të cilat ka kaluar Shqipëria jonë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike.
E filluam me refuzimin e tentativës për uzurpimin e demokracisë me projektkushtetutën e vitit 1994.
Denoncuam manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit dhe 20 tetorit në 1996-ën nga regjimi i Saliut.
Ringritëm shtetin pas falimentimit të krizës dhe rindërtuam shtetin prej korrikut të 1997-ës, miratuam Kushtetutën në 1998-ën.
Kontribut i pazëvendësueshëm i Partisë Socialiste gjatë luftës për çlirimin e Kosovës.
Dhe po gjatë vitit 1999, Shqipëria mori Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.
Dhe më 31 janar 2003 filluam zyrtarisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian.
Beteja për transparencën e zgjedhjeve dhe denoncimi i korrupsionit që kulmuan me protestën e 21 janarit 2011.
Morëm statusin e vendit kandidat në vitin 2014.
Dhe pastaj Rilindja Urbane, sot me Paketën e Maleve, transformimi i infrastrukturës, Shqipëria porta më e madhe hyrëse ajrore e Ballkanit Perëndimor, numra rekord turistësh, shumëfishimi i eksporteve në bujqësi, rritja e kapaciteteve energjetike, qindra shkolla, spitale, qendra shëndetësore kudo në Shqipëri.
Gati 3 herë më shumë investime të huaja direkte në një vit.
Duke kulmuar me investimin e Power Holding në Zvërnec, që do ta vendosë Shqipërinë tonë në Ligën e Kampionëve në turizëm.
Propozuam në vitin 2008, kur ishim në opozitë, hartuam dhe miratuam reformën në drejtësi në vitin 2016, reforma më e rëndësishme në 104 vite shtet shqiptar.
Prej atij momenti kur miratuam reformën në drejtësi, në Shqipëri u vendosën përballë dy fronteve.
Fronti i Partisë Socialiste dhe gjithë progresistëve që mbron reformën në drejtësi dhe përballë nesh të gjithë të tjerët që janë kundër Partisë Socialiste, që janë kundër reformës në drejtësi.
Por, motra e vëllezër socialistë, në këtë 35-vjetor jemi në një moment historik.
Ne jemi të vetmit që do ta përmbyllim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dhe ne jemi të vetmit që do ta fusim… se unë futbollin e kam qejf…Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror.
Prandaj, motra e vëllezër, rroftë Shqipëria, rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë.






