
Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter White Jr. në serialin e famshëm “Breaking Bad”, i ka dhënë fund jetës në moshën 34-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesit e tij, ndërsa aktori Bryan Cranston, i cili interpretonte babanë e tij në serial, ka reaguar i tronditur.
Sipas BBC, Mitte ndërroi jetë të hënën në Brownsville të Teksasit. Zëdhënësi i aktorit konfirmoi për agjencinë Reuters se 34-vjeçari kishte kryer vetëvrasje.
“Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe mbrojtësit të pasionuar të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, deklaroi përfaqësuesi i tij.
Bryan Cranston, i cili luajti Walter White në serialin e suksesshëm, publikoi një mesazh prekës në Instagram, duke u shprehur se ndodhej në dëshpërim të thellë.
“E njoha kur ishte vetëm 14 vjeç, kur u përzgjodh për rolin e Walter White Jr. Ishte ende i papërvojë kur nisëm xhirimet në shkurt të vitit 2007, por pak nga pak e pamë të shndërrohej në një aktor vërtet të talentuar”, shkroi Cranston.
Aktori vlerësoi gjithashtu përkushtimin e Mitte për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, duke theksuar se ai nuk e përdori kurrë paralizën cerebrale si justifikim për të mos ndjekur ëndrrat e tij.
“Është veçanërisht shkatërruese të mësosh se ai i dha fund jetës së tij”, shkroi Cranston, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Do të më mungosh, bir!”.
Edhe Aaron Paul, i cili interpretoi Jesse Pinkman në “Breaking Bad”, reagoi i pikëlluar.
“RJ, të dua, miku im. Do të na mungosh”, u shpreh ai, duke përcjellë një mesazh mbështetjeje për njerëzit që përballen me vështirësi emocionale.
Ndërsa Dean Norris, aktori që interpretoi Hank Schrader, kujtoi se ishte kujdesur për Mitte gjatë xhirimeve, kur ai ishte ende adoleshent, duke e përshkruar si një djalë të ëmbël që do t’u mungojë të gjithëve.
RJ Mitte u bë i njohur ndërkombëtarisht falë “Breaking Bad”, serialit që u transmetua nga viti 2008 deri në vitin 2013 dhe u kthye në një prej prodhimeve televizive më të vlerësuara në histori.
Aktori jetonte me paralizë cerebrale dhe përvoja e tij personale i dha autenticitet personazhit të Walter White Jr., i cili gjithashtu kishte këtë gjendje neurologjike.
Përtej aktrimit, Mitte ishte një zë aktiv në mbrojtje të personave me aftësi të kufizuara. Ai bashkëpunoi me organizatat United Cerebral Palsy dhe Shriners Children’s, si dhe themeloi fondacionin e tij për të mbështetur nisma sociale dhe bamirësie.
Gjatë karrierës u shfaq edhe në prodhime si “Hannah Montana”, “Switched at Birth”
dhe “Westhampton”, ndërsa projekti i tij i fundit ishte “Talking to Strangers”, i publikuar gjatë vitit 2026.
Vdekja e parakohshme e aktorit ka sjellë reagime të shumta nga kolegët e tij, të cilët e kujtojnë jo vetëm për talentin, por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për një industri televizive më gjithëpërfshirëse.






