
Sipas kreut të qeverisë, aktualisht në këtë platformë janë përfshirë 238 produkte me çmime të ulëta, ndërsa synimi është që deri në fund të vitit numri i artikujve të arrijë në 1 mijë.
Rama deklaroi se marrëveshja me pesë subjektet tregtare synon të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët, veçanërisht për familjet që përballen me vështirësi financiare.
Kryeministri theksoi se rritja e kostove është një fenomen ndërkombëtar dhe se bizneset duhet të tregojnë përgjegjësi sociale, duke mos u përqendruar vetëm te fitimi.
“Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe kur respekti për qytetarin, respekti për konsumatorin materializohet në kushtet e një presioni mbi ekonominë që nuk ka të bëjë me arsye të brendshme, por që ka përfshirë botën mbarë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se bashkëpunimi me pesë rrjetet tregtare ka mundësuar përcaktimin e një grupi artikujsh që do të kenë çmime të arsyeshme dhe të pandryshuara për tre muajt e ardhshëm.
Megjithatë, angazhimi nuk përfshin të gjitha produktet që tregtohen në supermarkete, por vetëm artikujt e përzgjedhur në kuadër të marrëveshjes.
Nisma “Pasqyra e Çmimeve” synon të krijojë një mekanizëm që u mundëson konsumatorëve të orientohen drejt produkteve me çmime më të përballueshme.
Mbetet për t’u parë se cilat produkte do të shtohen në listë, si do të kontrollohet respektimi i marrëveshjes dhe sa do të ndikojë ajo në shpenzimet mujore të familjeve shqiptare.






