
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi sot në Kuvend se si lidhet Reforma Administrativo-Territoriale drejtpërdrejt me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se bashkitë duhet të kenë kapacitete më të mëdha për të zbatuar legjislacionin europian dhe për të përfituar nga fondet e BE-së.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se ky është një nga argumentet kryesore të reformës, por që sipas tij është diskutuar më pak gjatë debatit politik.
“Anëtarësimi në Bashkimin Europian kërkon reforma të thella, reforma të vështira, ndoshta edhe jo popullore, por janë reforma që duhen bërë me çdo kusht”, deklaroi ai.
Sipas Ballës, rreth 70% e legjislacionit të Bashkimit Europian zbatohet në nivel vendor, ndaj Shqipëria duhet të ketë bashki të afta që në vitin 2030 të marrin përsipër përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi.
“Duhet të kemi gati bashki që në vitin 2030 të jenë gati të fillojnë të zbatojnë legjislacionin europian në nivelin e tyre”, tha ai.
Balla theksoi se faza e ardhshme e reformës duhet të përqendrohet te transferimi i kompetencave nga qeveria qendrore drejt pushtetit vendor. Ai rikujtoi se javën e ardhshme mazhoranca synon ngritjen e komisionit të posaçëm për këtë pjesë të reformës.
Sipas tij, bashkitë që do të dalin nga zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të kenë një përgjegjësi të veçantë, pasi do të jenë ato që duhet ta bëjnë të prekshëm për qytetarët procesin e integrimit europian.
Një tjetër argument i Ballës lidhej me fondet e Bashkimit Europian. Ai tha se pas anëtarësimit bashkitë shqiptare do të kenë mundësi të aplikojnë në mekanizmat e politikës së kohezionit, por problemi, sipas tij, është se një pjesë e bashkive të vogla nuk kanë aktualisht kapacitetet njerëzore dhe administrative për të përgatitur projekte konkurruese.
Balla përmendi si shembull Prrenjasin, duke argumentuar se bashkia nuk i ka sot kapacitetet e nevojshme për të konkurruar e vetme për projekte të mëdha europiane. Të njëjtin argument përdori edhe për Këlcyrën, duke thënë se bashkimi me një njësi më të madhe do të mundësonte struktura më të forta për përgatitjen e projekteve.
“Ne duhet të kemi gati të konkurrojmë për 514 milionë euro që duhet të konkurrojnë bashkitë tona. Nuk duam të humbim asnjë qindarkë”, tha Balla.
Ai solli edhe shembullin e Rumanisë dhe Bullgarisë, duke deklaruar se në vitet e para pas anëtarësimit ato kishin vështirësi në përthithjen e fondeve europiane për shkak të mungesës së kapaciteteve për hartimin e projekteve.
Balla iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se reforma territoriale e vitit 2015 kishte dështuar. Sipas tij, vetë propozimi i opozitës për rreth 100 njësi vendore tregon se rikthimi te modeli i vjetër nuk konsiderohet më një alternativë.
“Ju vetë nuk erdhët me një propozim për të shkuar te 373 njësi, por keni ardhur me një propozim prej 100 njësish. Sipas matematikës së Lulit, 100 është shumë më pranë 61 sesa 373”, ironizoi Balla.
Kreu i grupit socialist solli edhe shifra për financat vendore. Sipas tij, shpenzimet e pushtetit vendor kanë kaluar nga rreth 34 miliardë lekë në vitin 2015 në rreth tre herë më shumë sot, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë rritur nga rreth 11.7 miliardë lekë në 40.9 miliardë lekë.
Ai përmendi edhe buxhetin e vitit 2027, që sipas qeverisë pritet të arrijë 10 miliardë euro, duke argumentuar se edhe bashkitë do të jenë ndër përfitueset e rritjes së financimit publik.
Në fund, Balla e paraqiti reformën si një investim për periudhën pas anëtarësimit në BE dhe akuzoi opozitën se e sheh çështjen kryesisht përmes interesit elektoral.
“Qytetarët nuk duan një karrige për kryetarin e bashkisë; qytetarët duan punë dhe për punë duhen fonde”, tha Balla.






