
Sali Berisha ka sulmuar ashpër ministrin Arbjan Mazniku gjatë debatit për Reformën Administrativo-Territoriale, duke ngritur akuza për rolin e tij në Bashkinë e Tiranës dhe duke e krahasuar situatën e tij me atë të Erion Veliajt dhe ish-drejtorëve të dosjes “5D”.
Kreu i Partisë Demokratike e akuzoi Maznikun se po mbron një projekt që, sipas opozitës, është hartuar pa marrë mendimin e qytetarëve dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.
“Si ka mundësi që ti je këtu dhe Erion Veliaj, për të njëjtat krime, është në burg? Si ka mundësi që ti je këtu dhe drejtorët e 5D, që ke edhe firmën tënde, janë në burg?”, deklaroi Berisha.
Ai kërkoi nga Mazniku të japë shpjegime për përgjegjësitë që, sipas tij, lidhen me vendimmarrje të periudhës kur ishte pjesë e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Berisha e lidhi më pas sulmin me Reformën Territoriale, duke thënë se një ndryshim kaq i rëndësishëm nuk mund të miratohet pa konsultim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
“Vjen këtu me një dokument e thua që nuk i kemi pyetur qytetarët. Po si mund të pranosh një dokument të tillë, kur themelore është pyetja e qytetarëve?”, tha ai.
Në fjalën e tij, Berisha riktheu edhe çështjen e njohur politikisht si “Hotel Barcelona”, duke pyetur Maznikun se kush kishte paguar qëndrimin e tij.
“Po Hotel Barcelonën e harrove? Si shkove ti në Hotel Barcelona? Kush të pagoi ty? Na e thuaj këtu që ta dinë këta”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha e mbylli ndërhyrjen duke akuzuar Maznikun se po mbështet një reformë që, sipas tij, prek interesat e qindra mijëra qytetarëve pa u kërkuar më parë mendimin.
Akuzat e Berishës ndaj Maznikut mbeten pretendime politike të artikuluara në Kuvend dhe përgjegjësitë penale për çdo çështje përcaktohen nga organet e drejtësisë.






